PreshevaPRESS

Rrëfimi i rekordmenit më të ri botëror, Mensur Hyseni nga Presheva

Mensur Hyseni, të cilin për shkak të profesionit të tij shumica e thirrin prof, që nga 16 janari i vitit 2021, është emri më i ri në  Librin e Rekordeve Botërore Gines, e që ka siguruar përmes ekzekutimit të 55 krahpërkuljeve brenda një minute, me një peshë të shtuar prej 27.28 kilogram në çantën e tij.


Ideja për ta rrëmbyer titullin e të parit në botë nga rekorderi rus i pa sfiduar tri vitet e fundit, Jevgeni Los,  i ka lindur gjatë një bisede me njërin prej profesorëve të tij në studimet e nivelin master.  Mensuri për PreshevaPRESS, rrëfen sfidat dhe hamendjet që pati gjatë periudhës 5 mujore, sa edhe zgjatën përgatitjet e nevojshme për të vendosur rekordin e ri në krahpërkulje.

“Gjatë ligjëratave të cilat i kishim në studimet master në Tetovë, në konsultim e sipër me profesorët, na lindi ideja se jemi në gjendje të demonstrojmë gatishmërinë për të ekzekutuar 1000 krahpërkulje brenda një ore, edhe pse profesori nuk besonte. Duke njohur aftësitë tona, u rrit kureshtja për të hetuar rreth rekordit ekzistues në disiplinën e dipsit në botë, e që ishte vendosur nga një atlet rus që kishte ekzekutuar 53 krahpërkulje për 60 sekonda me peshë shtesë prej 27.5 kilogram” shpjegon Hyseni për PreshevaPRESS.

Ai , përkundër faktit se nuk kishte kushtet e njëjta me sportistët që kanë mbajtur rekordin botëror, gjeti përkrahjen morale nga bashkëpunëtorët dhe dashamirët të tij, gjë që u shndërrua në motivin kryesorë për të vazhduar rrugëtimin drejt këtij qëllimi.

“Sa i përket çështjes së përgatitjes, ka qenë fazë shumë e vështirë, brenda pesë muajve, na është kërkuar me miliona tonelata të tërheqim për të kalitur trupin, dhe normalisht, më në fund ia dolëm” shprehet Mensuri.

Përveç kushteve, Mensuri nuk pati as përkrahje institucionale, e kjo e bën atë, që suksesin e arritur të ia dedikojë përkrahjes së madhe që pati nga bashkëshortja e tij.

“Deri në momentin e certifikimit nga Libri i Rekordeve Botërore Genis, nuk kemi pasur përkrahje nga askush. Sa i përket çështjes së trajnimit, ushqimit, gjithçka ka qenë në duart e gruas sime,ajo ka qenë përkrahësja ime më e mirë dhe më e madhe”

Remzije Hyseni nuk është vetëm bashkëshortja e tij, por edhe kolege dhe bashkëpunëtorja e Mensurit në klubin e fintnesit, në të cilin ushtron klientet e gjinisë femërore. Ajo, edhe pse ndihet shumë krenare me arritjen e bashkëshortit të tij, mendon se të mbash titullin e rekorderit botëror, në vendin tonë nuk e ka vlerësimin e merituar.

“Të jesh një grua e një njeriut që mban titullin e rekordit Genis është kënaqësi e veçantë,  edhe pse në vendin tonë kjo gjë nuk e ka vlerësimin e merituar” thotë për PreshevaPRESS bashkëshortja e Mensurit.

Remzija tregon se gjatë kohës sa Mensuri është koncentruar në përgatitjen psikofizike, të gjitha ngarkesat tjera ka mbajtur mbi supet e saja, me synimin e vetëm që të arrihet qëllimi me sukses.  Ajo tregon se periudha përgatitore ka qenë tepër stresuese, pasi që përveç  obligimeve të përditshme si nënë e tre fëmijëve, asaj gjatë kësaj kohe iu kanë shtuar edhe disa obligime të reja sikurse që është përkujdesi për gjendjen psikologjike dhe ushqimore për Mensurin.

“Unë kam qenë ajo që kam pasur më shumë lëvizje në këtë aspekt, sepse Mensuri normal ka pasur pjesën e ngarkesës psikofizike, derisa unë ngarkesat tjera i kam marrë gjitha përsipër vetëm e vetëm të arrijmë qëllimin që i kemi hyrë së bashku. Roli im ka qenë i shumëfishtë, sepse kam qenë edhe në rolin e përkujdesit për familjen, si nënë e tre fëmijëve,por  dhe në anën tjetër më duhej të kujdesem edhe si trejnere, si përkrahëse, si psikologe, si dhe për pjesën e ushqimit për Mensurin” tregon me krenari Remzija.

Sportisti preshevar, derisa hamendet rreth tentimit që të thyej edhe ndonjë rekord tjetër, tregon se tash do të i kthehet familjes dhe fëmijëve të tij, pasi që ndihet se i kishte lënë anash gjatë kohës sa iu kishte përkushtuar përgatitjeve.

”U jam shumë borxhli familjes, sidomos fëmijëve, sepse gjatë periudhës pesë mujore i kam hyrë në hak, duke mos i kushtuar asnjë kohë, asnjë përkushtim, bile bile edhe gjumin më është dashur të e bëjë në dhomë ndaras nga ta.” thotë mes tjerash Mensuri.

Mensuri me modesti tregon se titulli rekordmen botëror nuk do ta ndalojë atë të bëjë një jetë normale, pjesë të pandashme të së cilës e sheh edhe përkushtimin e tij ndaj sportit.

“Tash do të i kthehemi realitetit, bile bile e ndiej veten shumë inferior në këtë aspekt, sepse përgatitja kërkon një përkushtim specifik.

Kur flet për emocionet kryesore gjatë kësaj periudhe, ai  veçon momentin e certifikimit të tij si rekorderi më i ri në botë. Kurorëzimi ose certifikimi që të radhitem në listën e atletëve më të mirë në botë thotë se ishte një emocion në vete për të. Krejt në fund, Mensuri  e shfrytëzoi këtë moment për të përçuar një mesazh për të gjithë me theks të veçantë te gjeneratat e reja, duke e cituar Aristotelin që thoshte: “Jeta fillon me lëvizje dhe lëvizja fillon me jetë, në atë moment kur lëvizja reduktohet apo nuk ekziston fillon e shuhet jeta”.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Boksieri Leonid Berisha shpallet kampion në Zvicër

PreshevaPRESS

Gjatë 10 ditëve të para të regjistrimit të popullsisë në Luginë janë regjistruar mbi 40000 qytetarë në total

PreshevaPRESS

Kamberi në seancën e Parlamentit të Serbisë: Kosova është e pavarur

PreshevaPRESS