PreshevaPRESS

RRITJA E ÇMIMEVE SHKAKTON RËNIE TË FUQISË BLERËSE NË LUGINË

Qytetarët e  Preshevës, sikurse edhe ata në të gjithë rajonin po përballen me valë të rritjes së çmimeve të produkteve elementare. Pas rritjes së çmimeve të hekurit, tani është rritur çmimi i naftës, grurit, vajit, kafes, sheqerit e bukës.


Ekonomistët theksojnë se inflacioni sigurisht që do të na ndjekë edhe këtë vit, e së bashkë me të edhe pyetje të rëndësishme të cilave duhet që të kërkojmë përgjigje në vitin 2022 – sikurse që janë kriza energjetike dhe shëndetësore.

Ekonomistit Ejup Haziri, thekson se ky inflacion godet edhe më shumë vendet e ngjashme si Presheva, duke shtuar se disbalanset midis të hyrave dhe të dalave, midis pagës minimale dhe asaj mesatare, midis shportës së konsumatorit të paraparë për nevojat elementare në bazë të standardeve të pranuara ndërkombëtarisht janë të theksuara zakonisht në vendet në zhvillim siç jemi ne e aq më tepër në vendet e pazhvilluara.

Foto: Titulli

‘’Rritja e pagave, pensioneve sillet mes 5% dhe 8%, ndërkaq inflacioni për 11 muajt e vitit të kaluar (2021) është 7.5% me gjasë se do ta tejkalojë sigurisht 8% e rrijes të kategorive të avancuara në disa degë, kryesisht joprodhuese. Është paradoks se rritja e çmimeve më e madhe (midis 10-15%) është në sekrorin e produkteve ushqimore, produktet të  cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shportës së konsumatorit. Ky fakt është mjaft shqetësues madje edhe alarmant.‘’ ka thënë Haziri për PreshevaPRESS.

Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Republikës së Serbisë, çmimi i ushqimeve u rrit me 12.2% në një vit, krahasur çmimet mes nëntorit 2020 dhe nëntorit 2021 . Më së shumti u rritën vajrat dhe yndyrnat me 22%, perimet me 20%, frutat me gati 17%, mishi me 14%.

Qeveria e Serbisë, më 02.12.2021, pas alarmit të rritjes së madhe të çmimeve të ushqimeve bazë, ka marrë vendim për kufizimin e lartësisë së çmimeve për ushqimet bazë, duke ngrirë çmimet për vajin, miellin, sheqerin, qumështin me jetëgjatësi dhe mishin e derrit. Ky afat 60-ditor i këtij vendimi përfundon në ditët e para të muajit shkurtit.

Këshilli Fiskal i Republikës së Serbisë vlerëson se familjet e varfra në vend tashmë po ballafaqohen me një inflacion nga 10 deri në 15%. Sa më të varfura që janë familjet aq më shumë para duhen të ndajnë për blerjen e ushqimit në krahasim e përkundër familjeve të pasura, prandaj edhe goditja në xhepin e tyre është më e madhe. Ky fakt bëhet edhe më shqetësues kur dihet se për statistika përdoret rroga mesatare në nivel të Serbisë, që arrin rreth 390€, derisa në Luginë të Preshevës rroga mesatare përllogaritet diku mes 270 – 280 €.

Haziri për PreshevaPRESS shpjegon për ilustrim se në nivelin republikan, nevoiten 1,2 rroga mesatare (562 euro), për të mbuluar shportën elementare të konsumatorit për një familje standarde që sipas shenimeve të fundit arrin në 673€.

“Duke marrë parasysh se pjesa dërmuese e të punësuarve janë me të ardhura të pagës minimale rreth 270-280 euro dhe marrë parasyshë faktin se paga mesatare në Preshevë, flet qartë për standardin mjaft të ulët të familjeve që kanë për bazë të ardhurat në fjalë, fatkeqësisht duke përjashtuar në analizë, mjaft familje me pak anëtarë të punësuar dhe aq më keq ato pa asnjë të punësuar fare.” ka thënë ai.

Sipsa Hazirit, rritja e çmimeve nuk kanë të bëjë me pasojat e shkaktuara nga panedmia Covid19, pasiqë gjatë dhe pas pandemisë nuk janë shkaktuar humbje të vendeve të punës si rezultat i masave dhe paketave të ndihmave financiare që ka ndërmarrë Ministria e Financave në Serbi.

“Pandemia nuk ka shkaktuar ndryshime të theksuara as në sektorin publik e as në atë privat për shkak të dekreteve qeveritare dhe ndihmave të paketës Covid19 nga Ministria e Financave, me kusht që zvogëlimi i numrit të të punësuarve nëpër ndërmarrje të mos jetë më i madh se 10%. Se çfarë do të sjellë viti vijues, kjo pastaj varet nga shumë parametra tjerë makroekonomikë por dhe nga masat e politikës fiskale.” përfundon ekonomisti Ejup Haziri, intervistën për PreshevaPRESS.

Rritja e çmimeve  ka prekur të gjitha vendet e rajonit, por mundësitë për të përballuar këtë rritje të çmimeve tek ne është shumë më e vogël, pasiqë vendet e rajonit janë më të zhvilluara se Presheva, Bujanoci apo Medvegja.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Seanca e pestë e Kuvendit të Komunës së Preshevës fillon punimet me vonesë

PreshevaPRESS

Nuk ka rivotime në Bujanoc, nuk miratohen ankesat e Koalicionit shqiptar të Luginës

PreshevaPRESS

Video / Arifi ka akuzuar UÇPMB-në se ka arrestuar anëtarë të PVD-së gjatë luftës

PreshevaPRESS