PreshevaPRESS

Selimi: Përfaqësuesit e institucioneve përmes rrjeteve sociale i kanë mbyllur derën mediave profesionale

Edhe pse Presheva ka mjaftueshem media të shkruara dhe televizione, qytetarët e Preshevës vuajnë për  informim të drejtë e të saktë, kështu tha në një intervistë për PreshevaPRESS, Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi. 


Ai shtoi se mediat kërokojnë financim të duhur, ndërsa lajmi me profesionalizëm dhe se të dyat bashkë mbajnë të informuar opinionin me lajme të duhura dhe jo të një anshme.

Përkatësisht, përmbajtja që mediat i japin publikut është gjithmonë e lidhur ngushtë me zhvillimin material dhe shpirtëror të të gjithë shoqërisë, ndërsa, në të njëjtën kohë, mënyra se si operon media gjithmonë mund të zbulojë nivelin politik, ekonomik dhe kulturor të kësaj shoqërie.

“Ka aq shumë media saqë do t’ia kishin lakmi qytete të shumta në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni me kapacitete të njëjta ose të përafërta me resurse njerëzore. Por ama numri i madh i mediave nuk garanton gjithmonë informim të drejtë. Në të vërtetë, konkurrenca do të duhej ta bënte të veten, pra të shtynte mediat në një informim të drejtë e të saktë, por jo gjithnjë. Informimi i drejt i mediave varet nga menaxhmenti dhe nga financuesit e tyre. Në qoftë se një medie menaxhohet dhe “financohet” nga një grup interesi, nuk pritet informim i drejtë. E patë që shprehjen “financohet” e vendosa në thonjëza. Që nënkupton financim i dobët. Sa për ta mbajtur gjallë. Informimi i drejtë pritet nga mediat me financa të qëndrueshme e të pavarura. E të tilla e të pavarura vështirë se gjenden në trojet shqiptare, e të mos flasim për Preshevën që është një komunë e pazhvilluar ekonomikisht. Gazetaria është veprimtari e shtrenjtë. Do investime jo vetëm në teknologji, por edhe në infrastrukturë dhe në resurse njerëzore. Do shkollim. Do specializim. Do profilizim. Do vrap e ndjekje të lajmit. Do profesionalizëm. Nuk është se nuk ka gazetarë të shkolluar. Nuk është se gazetarët nuk janë profesional. Nuk është se ata nuk vrapojnë e nuk e ndjekin lajmin. E bëjnë ata. Por pak investohet si në mirëqenien e gazetarëve ashtu edhe në mirëqenien e mediave. Prandaj sa investohet në informim aq informim ka.” tha Selimi për PreshevaPRESS.

Sipas tij, përfaqësuesit institucional për promovim të punëve që kryejnë po përdorin rrjetet sociale, duke u garantuar qytetarëve lexim ose video të arsyeshme për t’i ndjekur vetëm nga ana e bukur e tyre , ndërsa për kritikat dhe arsyet  gazetarët kanë dyert e mbyllura.

“Por një gjë që shihet e që kuptohet, është se përfaqësuesit institucional tani i kanë dyert e hapura kudo nëpër rrjetet sociale dhe aty e promovojnë veten. Meqë e kanë këtë mundësi, duket që nuk u bëhet vonë për mediat. Prandaj, mediat dhe gazetarët do të duhej që të shtynin përfaqësuesit institucional që të kalonin nëpër korridorin e tyre, do të thotë të mediave, që me profesionalizmin e tyre gazetaror të joshnin palët tjera që të promovoheshin nga gazetarët dhe mediat. Sepse mediat kanë këtë detyrë: të promovojnë veprimtaritë e të tjerëve. Sepse, duke promovuar të tjerët, promovojnë veten. E promovimi jo gjithmonë është degradues. Informimi është i drejt kur paraqitet realiteti ashtu siç është, e jo ashtu siç duam ta paraqesim ne, apo siç duan ta paraqesin palët e treta.” përfundon intervistën Selimi, dekan i Fakultetit Media dhe Konunikim në UBT.

Mediat janë urë lidhëse e komunikimit në mbarë botën. Mediat e lira, të sigurta, të pavarura dhe përgjegjëse janë themeli i zhvillimit të një shoqërie demokratike. Ata janë një lidhje e rëndësishme për ndërtimin e një shteti të zhvilluar, për përparim social, ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Robert Berisha: Preshevarët pa dallim moshe e vlerësojnë dhe kanë shije për muzikë live

PreshevaPRESS

Miranda Hashani: Presheva, përjetimi im i parë në skenë

PreshevaPRESS

Merita Burrniku: Çmoj Preshevën dhe preshevarët për dinjitetin dhe respektin që tregojnë

PreshevaPRESS