PreshevaPRESS

Putini ia uron fitoren Vuçiqit

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka uruar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, si dhe fitoren e partisë së tij, Partia Përparimtare Serbe.


Në bisedën telefonike, të zhvilluar të mërkurën, u tha se Putini i ka uruar Vuçiqit “fat dhe suksese në postin e tij si president i shtetit dhe përparim të Serbisë në pesë vjetët e ardhshme, me bindjen se Serbia dhe Rusia do t’i ruajnë raportet e vërteta miqësore”.

Sipas një deklarate të publikuar në ueb-faqen e Presidencës serbe, Vuçiq e ka falënderuar për urimet dhe ka përsëritur deklaratat që kishte dhënë edhe në natën e 3 prillit se Republika e Serbisë do të vazhdojë të ndjekë politikën e rrugës evropiane, duke ruajtur marrëdhëniet tradicionale miqësore me Rusinë.

Në njoftim thuhet se të dy presidentët e kanë analizuar situatën ekonomike dhe raportet dypalëshe në fushën e energjisë dhe tregtisë.

“Presidenti Vuçiq e njoftoi Putinin për vështirësitë, me të cilat po përballet Serbia gjatë importit të naftës së papërpunuar dhe shprehu besimin se udhëheqja e Gazpromneftit dhe Republikës së Serbisë, si dhe partnerët e BE-së, do të gjejnë një rrugëdalje nga situata e tillë”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.

Vuçiqi dhe Putini, po ashtu, thanë se për kontratën afatgjate për furnizim me gaz me Serbinë, që skadon më 31 maj të këtij viti, duhet që shumë shpejt të nisin bisedimet për çmimin, sasinë dhe kushtet e tjera.

Në fund, sipas njoftimit, Putini e njoftoi Vuçiqin për ngjarjet në Ukrainë dhe arsyet pse ai nisi pushtimin e shtetit fqinj, apo siç e quan Putini “operacion të posaçëm”. Vuçiqi ka përsëritur qëndrimet serbe dhe konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke thënë se shpreson që konflikti në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pas skadimit të marrëveshjes për furnizim me gaz, Vuçiqi gjatë një takimi në Moskë në nëntor ishte pajtuar me Putinin që çmimi i gazit për Beogradin të mos ndryshonte, pra të kufizohej në 270 dollarë për 1,000 metra kub deri në maj të vitit 2022.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione. Por, Serbia nuk i është bashkuar bllokut evropian, duke mos vendosur masa kufizuese ndaj Moskës.

Më 2 mars, Serbia megjithatë ka votuar një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara përmes së cilës dënohet pushtimi rus i Ukrainës./REL

ARTIKUJT E NGJASHËM

Video / Në Mitrovicë hapet kafeneja ku edhe gratë luajnë me gurë deri gati në syfyr

PreshevaPRESS

Në pikën kufitare Preshevë-Tabanovc është vendosur tabela “Ballkan i hapur”.

PreshevaPRESS

Në Serbi vazhdohet kohëzgjatja e vendimit për kufizimin e karburanteve deri në fund të prillit

PreshevaPRESS