PreshevaPRESS

Murati: Problemi i Veriut zgjidhet në Lindje të Kosovës

Nuk ka ndonjë pritshmëri të madhe për çështjen e bisedimeve nga takimi i 18 gushtit në Bruksel. Kështu deklaroi në emisionin “Info Plus” në RTK, Valon Murati, ish deputet dhe tani kryetar i Lëvizjes për Bashkim.


“Bashkimi Evropian, emisari special për Kosovën, por edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Borrell, sigurisht me shqetësim e kanë pritur këtë situatë të re për shkak se BE i shqetësohet çfarëdo tensionimi të situatës në Kosovë e rajon dhe kanë bërë përpjekje që të reagojnë”, tha Murati.

Sipas tij, këtë herë është reaguar edhe përmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tash është caktuar një datë për takimin mes kryeministrit Kurti e kreut të shtetit serb.

“Këto shpeshherë në diplomaci shërbejnë në këto situata, për të qetësuar gjakrat dhe për të blerë kohë tek të dy palët”.

Murati më tej u shpreh se nuk sheh qasje serioze tash e sa kohë as nga Serbia e as nga Kosova për procesin e dialogut.

“Në thelb, fatkeqësisht nuk shoh nga Serbia jo se jo, por as nga pala jonë, tash e një kohë të gjatë, një qasje serioze në raport me dialogun, në raport me atë se çka po duam të nxjerrim nga ky proces i rëndësishëm për Kosovën”, tha Murat në “Info Plus”.

“Nuk është se kam ndonjë pritje. Çështja e zbatimit të këtyre masave të reciprocitetit që është pjesë e marrëveshjeve të mëhershme mbetet të shihet se si do të realizohet”, deklaroi ai.

Duke folur për situatën e fundit në veri të vendit, Murati deklaroi se situatat e tensionuara atje, qoftë tani apo në të kaluarën, dëshmojnë për një gjë që çështja e veriut të Kosovës është një problem i rëndë politik, që kërkon qasje të kujdesshme për ta zgjidhur.

Sidoqoftë, ai deklaroi si Lëvizje për Bashkim asnjëherë nuk e ka konsideruar se çështja e veriut duhet të zgjidhet as me mjete ushtarake e as me mjete policore.

“Ne e konsiderojmë të pamundshme zgjidhjen e një problemi të tillë me këto mjete, por ky zgjidhet përmes zbatimit të reciprocitetit me Serbinë”, tha Murati, duke shtuar se “jo këtë reciprocitetin me targat, por atë reciprocitetin politik”.

Murati konsideron që problemi i veriut të Kosovës zgjidhet në Kosovën Lindore.

“Pra, ne duhet ta themi me forcë, me guxim, me vizion në tryezën e bisedimeve. Të mos bëhemi pre e bisedimeve teknike të cilat i konvenojnë Serbisë”, deklaroi ai.

Sipas kreut të LB-së, duhet pasur guxim që të shtrohen problemet themelore politike me Serbinë, e mos të veprohet siç është bërë për një kohë të gjatë që të flitet për çështje teknike të cilat e zvarrisin procesin.

“Ta shtojmë si çështje të reciprocitetit edhe problemin e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Përndryshe, unë shoh një situatë problematike, një situatë ku nëse ne nuk kemi guxim që ta ndërrojmë kornizën e bisedimeve, do të duhet të futemi në realizimin e marrëveshjeve të cilat edhe po na i përmendin”.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Në Morinë, 42-vjeçari nga Presheva kapet në kufi me 5 kilogramë heroinë

PreshevaPRESS

Albin Kurti në krye të LVV’së edhe për 4 vitet e ardhshme

PreshevaPRESS

Rama: Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës

PreshevaPRESS