PreshevaPRESS
Foto: Alban Nuhiu

Laureta Hajrullahu, artistja nga Presheva që është pjesë e Manifesta 14 Prishtina

Manifesta, Bienalja Evropiane Nomade, e themeluar në fillim të viteve 1990, rimendon lidhjen mes kulturës e shoqërisë civile, duke hulumtuar dhe nxitur ndryshime pozitive shoqërore përmes kulturës bashkëkohore në dialog të ngushtë me sferën shoqërore të qytetit nikoqir dhe komuniteteve të tij.


Laureta Hajrullahu është një artiste vizuale nga Presheva, e që në fillim të karrierës së saj është përzgjedhur të paraqitet në kuadër të programit të Manifesta 14 Prishtina.

E lindur në Preshevë (në vitin 1997) ku edhe ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm, e më pas studimet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Laureta në Manifesta 14 Prishtina paraqitet në katin e fundëm të ekspozitës tematike në Hotelin Grand.

Foto: Manifesta 14 Prishtina / Majlinda Hoxha

Instalacioni “2D PLANTS/ OPTIONS FLAT” është një hapësirë intime dhe pjesë e një vëllimi më të madh pune nga Laureta Hajrullahu. Duke përdorë mediat digjitale, artistja eksploron psikogjeografinë e izolimit të lidhur dhe të lidhjes së izoluar. Është një mjedis ose gjendje e njohur për njerëzit në të gjithë botën, sidomos për brezin e saj.

Laureta duke ndërtuar një mjedis resh, krijon kufijtë mes përvojës fizike dhe virtuale që mund të kenë qenë gjithmonë veçse të supozuara dhe se nuk ka gjendje idilike për t’iu kthyer.

Foto: Manifesta 14 Prishtina / Majlinda Hoxha

Ekspozita përmban video të zgjedhura të cilat ngrenë pyetje në lidhje me kushtet dhe kompleksiteti i strukturave ndërmjet individit dhe kolektivit, (gjysmë) privatit dhe hapësirat publike, si dhe mënyrat e ndryshme të rrjedhës dhe kontrollit të trupit të njeriut në shekullin 21.

Interesat artistike të Lauretës qëndrojnë në temat e privatësisë, gjinisë, intimitetit, ekosistemeve digjitale, udhëtimit në kohë, dritës artificiale dhe të ardhmet e pamundshme… Prandaj, ajo paraqet një larmi pikëpamjesh kritike mbi realitetin duke dekonstruktuar dhe vazhdimisht duke rikrijuar kufijtë midis botës virtuale dhe asaj fizike, duke përdorur media digjitale.

Puna e Laureta Hajrullahut është prezantuar në institucione të ndryshme në Kosovë dhe në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Ajo ka qenë pjesë e bienales “Gjon Mili” në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe ka marrë pjesë në ekspozita në Qendrën për Art Bashkëkohor në Malin e Zi, në Institutin për Art Bashkëkohor – ISU, Galeria 17 Prishtina, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë dhe Fondacioni 17, ndër të tjera.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Teatri i Preshevës do të paraqitet në dy festivale më 4 dhe 5 shtator

PreshevaPRESS

Egzona Salihu vazhdon bashkëpunimin me Teatrin Shqiptar në Kumanovë

PreshevaPRESS

Vdes Vjosa Berisha

PreshevaPRESS