PreshevaPRESS

Bislimi dhe Negavci vizitojnë Luginën: Kë takuan dhe çka biseduan gjatë takimeve

Pas vizitës së fundit nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, sot në Luginën e Preshevës po qëndrojnë për vizitë zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.


Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në Serbi janë futur përmes vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ku edhe janë pritur nga policia e Serbisë që do të përkujdesen për sigurinë e ministrave të Kosovës gjatë vizitës së tyre në Luginë.

Vizita e zëvendëskryeministrit të Kosovës Bislimi dhe ministres së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit Nagavci në Luginë, ka filluar me takimin në Këshillin Kombëtar Shqiptar, ku janë pritur nga kryetari i këtij instiucioni, Ragmi Mustafi.

Bislimi gjatë këtij takimi është shprehur se kanë për qëllim që të mbështesim aktivitetet e shoqërisë civile në fusha të ndryshme.

“Kemi nda fondin prej 2 milionë, por vetëm si fond fillestar me iden që në të ardhmen ky fond, me shpresë që edhe Shqipëria shumë shpejt i bashkangjitet këtij fondi në mënyrë që mundësia jonë për ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Luginë të shtohet dukshëm. Ideja jonë është që të mbështesim aktivitetet e shoqërisë civile në fusha të ndryshme”, u shpreh Bislimi.

Pas takimit me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Mustafi, vizitën e tyre delegacioni nga Kosova e kanë vazhduar duke takuar deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, njëherit edhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi. 

“Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit.” ka shkruar në faqen e tij në rrjetin shoqëror Kamberi pas takimit me zëvendëskryeminitrin e Kosovës dhe ministren e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kamberi ka thënë mes tjerash që marrëveshja finale që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbajë në vete edhe çështjen e shqiptarqve të Luginës.

Siç edhe ishte paraparë me agjendë, pas takimit me deputetin popullor Kamberi, delegacioni i Qeverisë së Kosovës u pritën në objektin e Komunës së Bujanocit, nga kryetari Nagip Arifi. 

“Kryetari Arifi i njoftoi zyrtarët e Republikës së Kosovës për situatën politike dhe ekonomike në vend, dhe kërkoi nga z. Bislimi që gjatë bisedimeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, temë diskutimi të jetë edhe çështja e shqiptarëve të Luginës.” shkruhet në njoftimin e Komunës së Bujanocit të publikuar në faqen e rrjetit shoqëror facebook.

Vizitën në Luginë,  zëvendëskryeministri i Kosovës Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Nagavci, pas takimeve me përfaqësuesit politik, e kanë vazhduar duke vizituar Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Të punësuarit e kësaj shkolle pritën delegacionin kosovar me lule dhe duartrokitje.

Derisa zëvendëskryeministri dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës po vazhdonin takimet me përfaqësues politik në Bujanoc, mediat nga Presheva raportuan se kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka urdhëruar drejtoreshën e Shkollës Fillore “Prof.Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, Fitore Sahiti, që ta refuzojë vizitën e zëvendëskryeministrit dhe ministres së arsimit të paraparë në agjendë, për shkak të mos vizitës së Komunës së Preshevës dhe refuzimit të takimit me vet Arifin. 

Bislimi për Klankosova ka thënë se me udhëheqësit politik të komunës së Preshevës është paraparë të takohen gjatë një dreke pune të paraparë sipas agjendës në restoran Bici, takim kur përveç tjerëve është i ftuar edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi. 

Mirëpo, Arifi ka thënë se nuk do të takohet me delegacionin e Qeverisë së Kosovës dhe nuk do të marrë pjesë as në drekën e punës të paralajmëruar me liderët politikë të Preshevës, kjo për shkak se siç u shpreh ai, e kanë injoruar Preshevën.

“Jo, nuk do t’i takojë si shenjë proteste që e kanë injoru komunën e Preshevës, për shkak të injorimit që i kanë bërë Preshevës dhe shqiptarëve në komunën më të madhe shqiptarë në Luginë, nuk do të marrë pjesë as në drekë, sepse tjera termine as që kanë paraparë” ka thënë Arifi për Klankosova.

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës kishte paraparë të vizitojë edhe Shkollën FIllore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, por edhe pse nuk dihet arsyeja, në vend të sajë është vizituar Shkolla Fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës. 

Gjatë vizitave nëpër shkollat fillore, zëvendëskryeministri i Kosovës Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Nagavci, kanë shfrytëzuar rastin të shpërndajnë libra nxënësve, libra këto të dhuruara nga Qeveria e Kosovës për nxënësit në Luginë.

Pas drekës me përfaqësuesit politik të komunës së Preshevës, zëvendëskryeministri i Kosovës Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Nagavci, nën shoqërimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar Mustafi, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me përfaqësues të shoqatave, bizneseve dhe personaliteteve të shquara në hapësirat e hotel Rozafa në Bujanoc, ku edhe pritet të promovohet fondi i ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën në lartësi prej 2 milion eurove. 

ARTIKUJT E NGJASHËM

Delegacion nga Berni i Zvicrës vizitojnë komunën e Bujanocit

PreshevaPRESS

Pas politikës përçahet edhe komuniteti i një sektori të ndërmarrësisë

PreshevaPRESS

Komuna e Preshevës dhe ajo e Bujanocit mbeten pa energji elektrike ditën e ejte

PreshevaPRESS