PreshevaPRESS

Arrihet marrëveshja për targat

Kosova dhe Serbia, të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat, në Bruksel.


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Tutje ka ftuar palët që në ditët në vijim të diskutojnë hapat e ardhshëm.

“E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, tha Borrell.

Kryenegociatorët e dy shteteve janë takuar të mërkurën në Bruksel në një takim që ka zgjatur më shumë se gjashtë orë diskutime në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte dënimin e shoferëve me targa ilegale në vetura.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Me kërkesë të SHBA-së, Kosova e pati shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas shumë orësh bisedime, Kosova ka arritur objektivin.

“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: Kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë”, shkroi Bajrami në Twitter.

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Në ditën e parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”në Kosovë, burri vret gruan e tij me sëpatë

PreshevaPRESS

Lista Serbe: Të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të i riregjistrojnë ato

PreshevaPRESS

Hovenier: Marrëveshja e targave avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

PreshevaPRESS